Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se me paketën e re fiskale që hyn në fuqi në janarin e vitit 2027, qeveria ka parashikuar një taksim të ri për të gjithë ata që kanë në pronësi më shumë se një apartament, të cilin nuk e lëshojnë në treg me qira.
Në daljen e sotme për buxhetin dhe protestën, Rama tha se kjo super taksë do të vlejë edhe për ata që kanë vila në bregdet.
“Supertaksë prone për ata që blejnë dhe apartamente bosh, pa i dhënë me qira. Është e drejta e tyre por duhet të paguajnë njësoj sic po bëhet në disa vende të Evropës. Një super taksë prone për vilat në bregdet, edhe ata duhet të paguajnë më shumë për pronën e tyre. Edhe ata duhet të paguajnë më shumë për pronën e tyre dhe një çmim i shumëfishuar për ujin e pishinave. Kjo shkon në një tjetër ligj. Do të ketë dhe një supertaksë për makinat e luksit. Pranë Ministrisë së Financave do të krijohet edhe Byroja e Specializuar për kontrollin e të ardhurave.”-tha Rama, në një dalje pas kërkesave të studentëve dhe të rinjve që denoncojnë çmimet abuzive të qirave dhe apartamenteve.












