Sipas statistikave dhe analizës së Eduard Zaloshnjes nëse zgjedhjet do te zhvillohen sot me kodin aktual elektoral do të prodhonin një parlament ku mazhoranca PS+PSD do të merrte nga 84 deri në 89 mandate.
Ky rezultat do të përbënte një rritje të ndjeshme ndaj 77 mandateve që mori mazhoranca (PS+PSD) më 2021. Rritja e numrit të mandateve të mazhorancës nuk vjen nga rritja e kuotave të saj, por nga dobësimi dhe fragmentarizimi i opozitës.
Sipas modelit statistikor, mazhoranca PS+PSD do të merrte sot rreth 800 mijë vota, pak a shumë sa ç’mori ne vitin 2021. Nga ana tjetër, opozita gjithsej do të merrte sot diçka më pak se 600 mijë vota – të cilat do të shpërndaheshin mes “Bashkimit për Fitore” të Foltores dhe PL-së, PD-së së Bashës.
Si rezultat i fragmentarizimit të 600 mijë votave opozitare, mandatet e prodhuara prej tyre mund të arrijnë deri në 56 në skenarin më optimist dhe vetëm 51 në skenarin më pesimist.
Kuptohet që parametrat e modelit statistikor mund të ndryshojnë deri më 2025 – “çekani” i SPAK s’dihet ku do të godasë, majtas apo djathtas, partitë e reja mund të fuqizohen deri atëherë, kodi elektoral mund të ndryshohet, etj. Sidoqoftë, ngjitja e opozitës se Berishës deri tek 71 mandatet duket një malore shumë e fortë statistikore…












