Komisioni Europian paralajmëron se ekonomia shqiptare do të përballet me disa rreziqe në rritje vitin e ardhshëm, që vijnë nga faktorë të brendshëm, si rreziqet e shtuara klimatike apo mungesa e fuqisë punëtore. Në raportin e fundit, Komisioni shprehet se ekonomia pritet të ngadalësohet në 2023 dhe 2024.
“Pas zgjerimit të fortë në vitin 2022, që arriti në 4.8%, rritja ekonomike e Shqipërisë pritet të zbutet në 3.5% në 2023 dhe 3.1% në 2024, pasi konsumi privat parashikohet të ngadalësohet për shkak të çmimeve të larta të ushqimeve dhe ecurisë më të dobët të punësimit”, njofton KE.
Edhe kjo perspektivë është subjekt i rreziqeve në rritje, sipas KE-së, kryesisht për shkak të ekspozimit të lartë të Shqipërisë nga ndryshimet klimatike, mungesës në rritje të fuqisë punëtore të kualifikuar për shkak të emigracionit dhe ecurisë negative të popullsisë.
Në raportin për zgjerimin, Komisioni theksonte përpjekjet e mëdha dhe investimet që duhen për t’u përshtatur me zhvillimet klimatike.












