Kuvendi ka miratuar kërkesën e SPAK për dhënien e autorizimit për arrestimin e ish-kryeministrit Sali Berisha. Tashmë, Berisha do të përballet me drejtësinë pa imunitetin e deputetit.
Në më pak se 8 minuta, pa asnjë surprizë, 75 deputetë votuan pro kërkesës së SPAK duke i hapur kështu rrugë arrestimit të Sali Berishës mes tymueseve dhe kaosit të krijuar nga Rithemelimi.
Seanca nisi me tensione në Kuvend. Deputetët e Rithemelimit që në minutat e para nisën aksionin e kaosit dhe të përplasjes me gardistët. Këta të fundit janë bërë gardh për të mos lejuar që të afrohen tek foltorja të cilën në seancat e kaluara e bllokonin me karrige pirg.
Kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla dhe një pjesë e socialistëve hynë brenda dy orë para seancës ndërsa rreth orës 09:55 mbërriti dhe Rama.












