Policia e Shtetit ka reaguar për herë të dytë lidhur me rrezikun për sulme kibernetike ndaj celularëve me sistem “Apple” (Iphone).
Autorët që dërgojnë këto mesazhe përdorin emërtimet e institucioneve shqiptare, siç është rasti i fundit i konstatuar, nga një adresë jo-reale e Postës Shqiptare. Policia thekson se asnjë person nuk duhet të klikojë në linqet që i dërgohen dhe të mos plotësojë asnjë formular me të dhëna personale.
“Në vijim të njoftimit të ditës së djeshme, të strukturave të Hetimit të Krimeve Kibernetike, i cili bënte fjalë për mesazhe (iMessage), që iu dërgohen nga adresa të ndryshme iCloud, përdoruesve të Apple, ju informojmë se: Autorët që dërgojnë këto mesazhe, për të fituar besueshmëri, përdorin emërtimet e institucioneve të ndryshme shqiptare, siç është rasti i fundit i konstatuar, nga një adresë joreale e Postës Shqiptare. Në asnjë rast mos klikoni dhe mos plotësoni formularë, pa u siguruar që faqja nga e cila jeni kontaktuar, është faqja zyrtare e institucionit. Nëse ju ka ardhur një mesazh i tillë dhe ju keni shpërndarë të dhënat tuaja personale”, njofton policia.












