Pasi të rikonstruktohet, autostrada Tiranë-Durrës do të bëhet me pagesë. Qeveria e ka pranuar këtë zyrtarisht në një dokument që mban datën 13 dhjetor 2023.
Konkretisht bëhet fjalë për një dokument të Autoritetit Rrugor Shqiptar dhe që lidhet me projektin e urave në vend që po mbështetet nga Banka Botërore dhe në një pjesë të veçantë të këtij dokumenti nënvizohet edhe një paragraf për autostradën Tiranë-Durrës.
Gjithashtu bëhet me dije se rruga Tiranë-Ndroq-Plepa do të përmirësohet dhe zgjerohet si një mundësi alternative per qytetaret kundrejt audostradës që do të jetë me pagesë
“Autostrada Tiranë-Durrës është korridori kryesor ekonomik i vendit që lidh kryeqytetin me portin kryesor, Durrësin dhe nga veriu në jug. Rreth 40 për qind e popullsisë së vendit jeton në këtë segment. Përmirësimi i planifikuar i autostradës aktuale ndërmjet Tiranës dhe Durrësit do të përfshijnë një sistem pagese, ndaj duhet të ofrohet një rrugë alternative . Për këtë qëllim rruga që lidh dy qytetet përmes Ndroqit dhe Plepave duhet të zgjerohet” thuhet në dokumentin e ARRSH.












