Pasi Komisioni i Etikës e përjashtoi me 20 ditë nga Parlamenti, deputeti Ervin Salianji në një dalje për mediat e ka konsideruar si “shpallje lufte” ndaj opozitës vendimin për përjashtimin e tij dhe të 18 deputetëve të tjerë të grupit Berisha-Bardhi.
Salianji tha se do të ketë një ashpërsim të mosbindjes civile të opozitës, ndërsa i bëri thirrje Parlamentit Europian që të dërgojë në Shqipëri një mision monitorimi sa i takon zhvillimeve parlamentare në vend.
“U bëjmë me dije partnerëve ndërkombëtarë se thirrjet e tyre të përsëritura po shpërfillen në mënyrë putiniane nga Edi Rama. Shkarkimi përkohësisht i 19 deputetëve të opozitës nuk mund të bëhet nga qeveria. I bëjmë thirrje Edi Ramës të ndalë luftën ndaj opozitës përndryshe do t’i përgjigjemi me të gjitha format e mosbindjes civile. I bëjmë thirrje Parlamentit Europian të dërgojë në Shqipëri një mision monitorimi”,– tha Salianji.












