Kuvendi ka miratuar me 74 vota “pro”, 6 kundër dhe asnjë abstenim ngritjen e Komisionit të Posaçëm Anti-korrupsion.
Ky komisioni mori vetëm votat e mazhorancës socialiste, ndërsa shumica e demokratëve nuk morën pjesë në votim. Ndërsa kundër votuan: Ervin Salianji, Lindita Metaliaj, Ilda Dhori, Elda Hoti, Agron Shehaj dhe Albana Vokshi.
Komisioni i Posaçëm do të zhvillojë veprimtarinë e tij në një afat kohor 10 mujor. Edhe pse opozita ka deklaruar se nuk do të marrë pjesë, parashikohet që Komisioni të ketë 11 anëtarë, 6 nga mazhoranca dhe 5 nga opozita. Drejtimin e këtij komisioni do ta kenë socialistët ndërsa nënkryetari i takon pakicës.
Komisioni i Posaçem do të ketë si synim përmirësimin e mirëqeverisjes në të gjitha nivelet, thellimin e luftës kundër korrupsionit, duke patur si udhërrëfyes rekomandimet e raporteve të Bashkimit Europian.












