Linja hekurudhore Durrës-Prishtinë, do të shërbejë edhe për qëllime ushtarake, ndërsa projekti, gjurma ku do të kalojë dhe kostoja e këtij investimi do të bëhen të ditura në shkurt të vitit 2025, kur pritet të përfundojë studimi i fizibilitetit që po financohet nga dy qeveritë.
“Ndodhemi në fazë të avancuar të studimit të fizibilitetit dhe përfundon në shkurt të vitit 2025. Këto hekurudha, nuk do shërbejnë vetëm për transport mallrash e udhëtarësh por edhe për qëllime ushtarake, qoftë në lidhjen me Malin e Zi, me Maqedoninë e Veriut apo edhe me lidhjen me Prishtinën”, u shpreh zv/ministrja Enkelejda Muçaj.
Hekurudha që do të lidhë Shqipërinë me Kosovën, pritet të kalojë pjesërisht në gjurmën ku do të ndërtohet hekurudha Vorë-Hani i Hotit. Varianti i paralajmëruar nga kryeministri Edi Rama e që është mbështetur nga ministri i Kosovës Liburn Aliu, parashikon që hekurudha të kalojë nga Durrësi, në Shkodër, për të vijuar në Gjakovë e më pas në Prishtinë.
Nëse vihet në zbatim ky projekt, me itinerar nga Shkodra, Hekurudha Durrës-Prishtinë, do të jetë pjesërisht e ndërtuar. Do të bëhet vetëm pjesa Durrës-Vorë, ndërsa linja nga Vora deri në Shkodër (Vorë, Laç, Lezhë, Mjedë, Shkodër-Hani i Hotit) do jetë e ndërtuar si pjesë e hekurudhës Vorë-Hani i Hotit e cila kalon për në Mali të Zi, dhe mbetet për t’u ndërtuar vetëm linja nga Shkodra drejtë Gjakovës për të përfunduar në Prishtinë.












