Fitorja e titullit kampion në Kampionatin e Futbollit për sezonin 2022-23 ka sjellë edhe një shpërblim prej 150 milion lekësh për ekipin e Partizanit nga Bashkia e Tiranës.
Ky është një premtim i mbajtur nga Bashkia e Tiranës, e cila vijon traditën e shpërblimit të skuadrave të kryeqytetit që fitojnë tituj kombëtarë dhe ndërkombëtarë.
Të njëjtin shpërblim e ka përfituar më parë edhe ekipi i futbollit KF Tirana, por edhe skuadra të tjera apo sportistë individualë që kanë fituar medalje me paraqitjet e tyre.
Në ceremoninë e dorëzimit të çekut për lojtarët dhe drejtuesit e ekipit, ku ishte e pranishme edhe ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manasterliu dhe deputeti i PS, Erion Braçe, kryebashkiaku Erion Veliaj tha se ky është kontributi më i madh që një bashki jep për skuadrat e kryeqytetit dhe do të shërbejë si një nxitje dhe ogur i mirë në të ardhmen.












