Dje në autostradën e re Thumanë-Kashar u aplikua për herë të parë pagesa për makinat, e cila solli trafik të rënduar.
Për të shmangur këtë situatë pagesa u hoq dhe automjetet kaluan pa ndaluar në sportelet ku dhe duhet të bënin pagesën. Nisur nga kjo situatë së fundmi ka reaguar edhe Autoriteti Rrugor Shqiptar të cilët kanë bërë me dije se sistemi i pagesës për aksin rrugor Thumanë-Kashar, do të nisë zyrtarisht në ditët në vazhdim.
Gjithashtu, ata theksojnë se qytetarët do të njoftohen paraprakisht për datën dhe orarin e fillimit të pagesës. Deri në nisjen e këtij procesi, kompania do të kryejë në segmente të ndryshme kohore, testime të kufizuara të sistemit të pagesës, për të kolauduar sistemin dhe aftësinë përpunuese të stafit.
Aksi Thumanë-Kashar, i cili është dhe segmenti i parë i Korridorit Blu, që i paraprin tre kantiereve të reja Thumanë – Milot, Kashar – Lekaj dhe Lekaj – Fier, u hap pasditen e 30 qershorit. Kalimi në këtë rrugë do të jetë me pagesë, vlera e të cilës do varet nga lloji i mjetit, por që nuk do të jetë më poshtë se 2.1 euro pa TVSH.












