Fredi Beleri i dënuar në Shqipëri për blerje votash, do të marrë lejen për të marrë pjesë në mbledhjen e Parlamentit Europian më datë 16 korrik, ku dhe do të bëhet betimi si eurodeputet.
Sipas medias greke, vendimi i Shqipërisë për t’i dhënë Fredi Belerit një leje 5-ditore nga burgu i Fierit, nuk ishte i lehtë, por një produkt i presioneve të Greqisë dhe Europës.
“Mesazhi ishte: Është e paimagjinueshme që një eurodeputet i zgjedhur të mos betohet në Strasburg pas marrjes së postit të tij, veçanërisht kur ai mbahet i burgosur në një shtet aderues në BE. Në fund të fundit, pasi të vuajë dënimin e vendosur nga Apeli, Beleri gjithsesi do të dalë nga burgu në vjeshtë, ndaj nuk ka asnjë përfitim që Shqipëria të insistonte në ndalimin e tij”, shkruan gazeta greke “Protothema”.
Në Samitin e NATO-s në Uashington nuk ka pasur asnjë takim mes Mitsotakis dhe Ramës. Gjithashtu, media greke “Protothema” shkruan se procesi për dhënien e lejes janë intensifikuar ditët e fundit, ndërkohë që ky zhvillim duket se është vulosur në një takim të shkurtër 4 minuta të zhvilluar në Samitin e NATO-s nga Ministri i Punëve të Jashtme Giorgos Gerapetritis me homologun shqiptar të Igli Hasani, i cili me sa duket kishte autorizim politik nga Edi Rama.












