Me një kurrikul për t’u pasur zili, Ervin Hoxha, emri surprizë për detyrën e ministrit të Brendshëm, është nga ata njerëz që i japin shpresë kujtdo që të mendojë se mund të dalë në krye duke ngjitur shkallët e karrierës një e nga një, duke filluar nga arsimimi, deri tek detyra më e lartë për të menaxhuar një ministri si ajo e brendshmja.
Ervin Hoxha, ka nisur karrierën në polici me kapelen e policit mbi kokë, duke i fryrë bilbilit per të hapur qarkullimin e mjeteve në rrugë dhe dalëngadalë, një e nga një ngriti shkallët e karrierës me disa detyra të tjera të rëndësishme, duke përfshirë Interpolin, Shërbimin e Provës, apo më së fundi edhe IKMT.
Asgjë nga këto nuk do të ishte e realizuar nëse vetë Hoxha nuk do të kishte punuar për të qenë këtu nëpërmjet arsimimit të tij. Katër vitet e gjimnazit i kreu në akademinë e specializuar ushtarake në Turqi, e pas kësaj, u katapultua në Gjermani për studimet e larta dhe ato pasuniversitare në të njëjtin shtet pikërisht për menaxhim dhe siguri.
Ervin Hoxha, nuk është “politikan safi” nga ata të prodhuar nga votat e qytetarëve. Por është një person teknik në krye të punëve dhe për këtë fakt, ndoshta do t’ia dalë më së miri që të evidentojë talentet, të arsimuarit, ata njerëzit që kanë kontribute.












