Qeveria Rama ka miratuar ndryshimin e orarit për Administratën, duke i lënë fleksibilitet për të punuar. Ministrja e Shtetit për Administratën Publike, Adea Pirdeni deklaroi se punonjësve i shtohen edhe dy ditë të tjera pushimi nga leja vjetore.
“Për herë të parë do aplikohet orari fleksibël i punës në administratën publike për të garantuar një balancë më të mirë mes punës dhe jetës private. Në bazë të këtij vendimi parashikohet që kohëzgjatja ditore mbetet e plotë: Nga e hënë në të enjte, 8 orë e 30 minuta, ndërsa ditën e premte 6 orë. Punonjësit e administratës publike mund të zgjedhin të nisin ditën e punës me herët dhe ta përfundojnë më herët, ose ta nisin më vonë dhe të përfundojnë më vonë, duke garantuar që të gjithë punonjësit të jenë prezent në zyrë, nga një fashë orare 9:30 deri 15:30, nga e hëna në të enjte dhe 9:30 deri 13:00 ditën e premte.
Po ashtu në ndryshimet e kodit të punës është hequr kufizimi, ku sipas të cilit punonjësit e adinistratës nuk mund të merrnin leje vjetore, në më pak se një javë kalendarike, është përcaktuar shprehimisht që kohëzgjatja vjetore e pushimeve është 22 ditë pune, ku janë shtuar edhe 2 ditë eksta pushim për të gjithë punonjësit”, tha ministrja.












