Policia e Tiranës ka apeluar të gjithë qytetarët që të jenë të kujdesshëm nga numra që mund t’u shkruajnë në rrjetet e tyre sociale, pasi është zbuluar një skemë e re mashtrimi për të vjedhur të dhënat.
Sipas policisë, janë konstatuar mesazhe të maskuara si ato të kompanisë “Meta”, drejt numrave të telefonit, për konfirmimin e të dhënave në rrjetin social Facebook, të lidhura me shërbimin Facebook Ads, (por jo vetëm).
Mesazhet mashtruese kanë si synim orientimin e poseduesve të llogarive drejt linqeve mashtruese me qëllim marrjen në posedim të llogarive të personave të mashtruar, në mënyrë të padrejtë.
“Sektori për Hetimin e Krimeve Kibernetike në Tiranë bën thirrje që nqs dyshoni se mund të jeni i prekur nga dërgimi i këtyre mesazheve, të paraqiteni pranë zyrave tona, si dhe këshillon që të mos kryeni asnjë veprim kundrejt këtyre mesazheve“, njofton Policia.












