Administrata Tatimore iu ka kujtuar të gjithë tatimpaguesve që brenda datës 20 tetor duhet të deklarojnë në e-Filing informacionet mbi pronësinë ose kontratën e qirasë të vendi ku ushtrojnë aktivitetin ekonomik.
Tatimet paralajmërojnë se mosdeklarimi i adresës së ambientit të aktivitetit tuaj konsiderohet kundërvajtje administrative sipas ligjit. Tatimet sqarojnë se për të përditësuar të dhënat, duhet të ndiqen hapat e mëposhtëm në llogarinë e subjekteve në e-Filing:
1. Klikoni në seksionin e-Filing Im.
2. Zgjidhni Profili Im.
3. Klikoni tek Detajet e Tatimpaguesit dhe pastaj tek Adresa.
4. Tek Adresa Kryesore, klikoni logon e shtëpizës.
5. Plotësoni të dhënat dhe ngarkoni dokumentin e pronësisë ose kontratën e qirasë.
Subjektet duhet të bëjnë kujdes pasi ky informacion është i detyrueshëm për çdo njësi biznesi (NIPT kryesor dhe sekondar).












