Shtypi grek vijon t’i bëjë jehonë deklaratave që bëri kryeministri Edi Rama, gjatë takimit me Shqiptarët në Selanik.
Gazetari shqiptar në Athinë, Etmond Guri tha se mediat greke po i bëjnë jehonë Ramës.
”Mesa duket Rama është kthyer në një lojtar shumë të fortë, di të luajë, di të provokojë, di të sfidojë e tërheqë vëmendjen e mediave në Greqi. Grekët kanë një parim, që edhe dizinformimi shumë herë është reklamimi më i mirë. Në këtë rast, mediat greke po i bëjnë punë të shkëlqyer z.Rama, pavarësisht se janë të njëanshëm dhe e paraqesin lajmin sipas këndvështrimit të tyre, por gjithsesi Rama në të dy rastet ka dalë fitimtar“, tha gazetari.
Rama bëri deklarata të forta politike në Selanik, ku veçohet ajo me termin “vorio-epir”, për të cilën kryeministri theksoi se është një çështje e vdekur. E në këtë aspekt, gazetari Etmond Guri u shpreh se deklarata të tilla në territorin grek nuk janë bërë ndonjëherë nga një kryeministër shqiptar të paktën pas viteve ’90.












