Gjykata e Posaçme ka dënuar me 2 vjet e 8 muaj burg Vangjush Dakon. Ish-kryebashkiaku i Durrësit u akuzua për ‘shpërdorim detyre’ dhe ‘falsifikim dokumentesh’ në dy raste.
Rasti i parë ka lidhje me abuzimin e kryer me lejen për ndërtimin e një pallati në Durrës, ndërsa rasti i dytë ka të bëjë me studimin e kryer nga bashkia e Durrësit në lidhje me shëtitoren në qytetin bregdetar ku për shkak të keqllogaritjes në buxhetin e shtetit është shkaktuar një dëm prej qindra mijëra euro.
Vangjush Dako u arrestua në qershor 2023 pasi ndaj tij ishte caktuar ‘arrest me burg’ por pas 8 muajsh, në shkurt 2024 GJKKO vendosi të ndryshojë masën e sigurisë në ‘arrest shtëpie’ për shkak të kalimit të afateve. Në korrik të këtij viti Gjykata e Posaçme pranoi kërkesën e ish-kryebashkiakut të Durrësit Vangjush Dako për gjykim të shkurtuar.












