Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar kërkesën e një grupi aktivistësh për zhvillimin e një referendumi vendor për mbrojtjen e Parkut Rinia në Tiranë, duke i hapur rrugë nismës kundër ndërtimit të kullës “Shatërvani i Tiranës” në këtë hapësirë të gjelbër në zemër të kryeqytetit.
Nisma synon t’u japë qytetarëve të Tiranës mundësinë të shprehen drejtpërdrejt përmes votës nëse janë dakord me projektin e ndërtimit, i cili është kundërshtuar për ndikimin që pritet të ketë në trafikun, cilësinë e ajrit dhe hapësirat e gjelbra të qytetit.
“A jeni dakord që të ndërtohet një kullë tek Parku Rinia?”, është pyetja që shtrohet për qytetarët dhe KQZ ka miratuar modelin e formularit që do të përdoret për të mbledhur firmat, ndërsa përgjigjet janë dy, PO dhe JO.
Kërkesa për referendum është depozituar në KQZ më 5 tetor 2026 nga një komitet nismëtar, ku bëjnë pjesë Dorjan Teliti, Adriana Kalaja, Jamarbër Malltezi, Erges Eskiu, Xhulda Xheka, Agron Kuliçaj dhe aktivistë e qytetarë të tjerë.
Një muaj më parë, Studio daneze BIG – Bjarke Ingels Group ka propozuar një ndërtesë të ngritur mbi nivelin e tokës, me volume që synojnë të lirojnë sa më shumë hapësirën e parkut dhe ta mbajnë atë të aksesueshme për publikun.
Koncepti mbështetet te ideja e një “reje”, me hapësira për banim dhe punë të ngritura mbi tokë. Poshtë tyre krijohen zona të mbuluara, hije dhe hapësira publike, të menduara edhe si një hyrje e re e Parkut Rinia në raport me qytetin.
Projekti parashikon ruajtjen e ujit dhe të shatërvanit si pjesë të identitetit të zonës, por i trajton ato në një formë të re. BIG propozon ngritjen e ujit në strukturë, në mënyrë që ai të rikthehet në park me efektin e një “shiu vere”. Sipas studios, ky element synon të ndikojë edhe në mikroklimën lokale dhe në përdorimin e hapësirës publike gjatë muajve të nxehtë












