Deputeti Erion Braçe ka reaguar i revoltuar në lidhje me rrjedhjen në media të informacioneve rreth debatit që ishte zhvilluar ditën e djeshme në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Socialiste.
Më konkretisht, një grup deputetësh të PS-së kritikuan Spiropalin se po favorizon opozitën në Kuvend, duke iu dhënë hapësirë të pamerituar dhe në shkelje të rregullores, madje kryeparlamentarja është nën presion dhe shantazh nga Gazment Bardhit.
Por, rrjedhja në media e këtij sherri brenda PS-së ka acaruar Erion Braçen, i cili ka dërguar një mesazh të gjatë, të cilin ia drejton “spiunit”, i cili sipas deputetit socialist është “një” dhe këtë punë e ka bërë prej vitesh.
Braçe shkruan se asnjëherë nuk ka ndodhur që ai të ketë tradhtuar shokët e tij, dhe thotë gjithmonë atë që mendon, pa asnjë rezervë. Ai i drejtohet më tej “spiunit” se nuk ka patur qëllim t’i zerë karrigen Spiropalit, por ka qenë i shqetësuar për situatën ku është katandisur Kuvendi.












