Altin Basha është shkarkuar nga posti si Drejtor i Teatrit Kombëtar.
Shkarkimi i tij nga Këshilli i Ministrave, erdhi pasi një emision investigativ hodhi dyshime se Altin Basha po abuzonte me fondet e Teatrit.
Pas këtij skandali ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit lajmëroi se kishte nisur hetimet për të inspektuar situatën dhe aludimet e ngritura.
“Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit ka ndjekur me vëmendje, sikurse me shqetësim, zhvillimet e fundit mbi kronikat e transmetuara nga një emision investigativ lidhur me menaxhimin në Teatrin Kombëtar. Për të garantuar transparencën dhe përgjegjshmërinë institucionale, Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, më datë 23.12.2024 ka urdhëruar ngritjen e një grupi pune për të inspektuar situatën dhe aludimet e ngritura lidhur me disa aspekte të produksionit në Teatrin Kombëtar. Pas shqyrtimit me detaje të të gjithë dokumentacionit dhe fakteve të raportuara, do të vlerësohet përputhshmëria dhe do të merren masat ligjore të nevojshme“, thuhet në njoftimin e Ministrisë.












