Autoritetet në Greqi kanë marrë masa të menjëhershme dhe kanë paralajmëruar banorët e ishullit të Santorinit të shmangin grumbullimet në ambiente të mbyllura, të mos qëndrojnë në banesa të vjetra dhe të mos bien në panik në rast të lëkundjeve sizmike.
Ky mobilizim ka ardhur pas regjistrimit të mbi 200 lëkundjeve sizmike në 48 orët e fundit, që kanë shkaktuar shqetësim dhe panik tek qytetarët.
Aktiviteti sizmik në zonën e Santorinit dhe përreth ka shqetësuar autoritetet dhe shkencëtarët. Epiqendrat e këtyre tërmeteve janë kryesisht të vendosura në Anhidros, një ishull i pabanuar pranë Santorinit, që ka ngritur shqetësime për rrezikun e mundshëm.
Bashkia e Santorinit ka ngritur çadra në ambiente të hapura për të ofruar strehim për qytetarët dhe turistët. Pamjet e para nga përgatitjet për një tërmet të mundshëm janë publikuar nga mediat greke.












