Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave, Ëngjëll Agaçi ka kryer një ndërhyrje emergjente kirurgjikale, e cila përfundoi me sukses dhe po i nënshtrohet rekuperimit shëndetësor.
Burime nga Kryeministria kanë konfirmuar për “Javanews” se Agaçi është detyruar 3 javë më parë të kryente një vizitë shëndetësore në Itali, për shkak të disa problemeve të papritura shëndetësore.
“Tre javë më parë, gjatë një udhëtimi privat në Itali, Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave u desh të kryente një vizitë shëndetësore për shkak të disa simptomave të papritura dhe menjëherë më pas t’i nënshtrohej një ndërhyrjeje kirurgjikale emergjente, e cila përfundoi me sukses” bëjnë të ditura burime nga Kryeministria.
Ndërkaq, bëhet e ditur se përgjegjësitë e lidhura me detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Ministrave janë deleguar në përputhje të plotë me ligjin.












