“Ethet” e listës kanë mbërthyer Partinë Socialiste, me kryeministrin Edi Rama që në mbledhjen e sotme të grupit ka tentuar të sqarojë mënyrën se si do të bëhet ndarja e kandidatëve për deputet.
Rama nënvizoi se asnjë deputet që ka fituar një mandat në legjislaturat e shkuara, nuk do të jetë pjesë e listës së mbyllur.
“Cilado prej jush që nuk pranon të jetë në listën e hapur duhet t’ia bëjë me dije drejtuesit politik. Parimi themelor i listës së re, do jetë që asnjë deputet në gjininë mashkullore që ka marrë qoftë dhe një mandat nga PS, nuk do jetë në listën e mbyllur. E drejta e kujtdo që për arsye të ndryshme nuk dëshiron të jetë në listë të hapur ta thotë, por duhet ta thotë para. Sepse parimisht luftën duhet ta bëjnë ata që kanë më shumë eksperiencë dhe që kanë marrë më shumë nga votuesit dhe nga PS. Nuk besoj kurrë që asnjë drejtues politik mund të futet në preferenca se për kë duhet të votojnë anëtarët e PS dhe qytetarët. Kjo është e padiskutueshme“, tha Rama.












