Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi ka reaguar pas tërmetit teksa bën me dije se deri tani raportohen disa dëme të lehta në Njësinë Administrative Xibër. Ministri Peleshi shton se strukturat e mbrojtjes civile janë në gadishmëri të plotë.
“Sipas të dhënave paraprake nga Qendra Kombëtare Operacionale e Emergjencave Civile dhe IGJEUM, lëkundje tërmeti me magnitudë 4.7 Richter, me epiqendër 3 km në jug të Klosit janë ndier në të gjithë territorin e Shqipërisë. Sipas të dhënave të deritanishme raportohen disa dëme të lehta në Njësinë Administrative Xibër, Bashkia Klos. Të gjitha strukturat e Mbrojtjes Civile janë në gatishmëri dhe në kontakt të vazhdueshëm më të gjitha Bashkitë e vendit”, shkruan Peleshi.
Lëkundje të forta janë ndjerë në Tiranë, në Klos, Lezhë, Fushë-Krujë, Durrës, Elbasan, Shkodër, si dhe Pogradec.












