Sot, 30 qershor, në Gjykatën e Posaçme nis procesi gjyqësor ndaj kryetarit të Partisë Demokratike Sali Berisha dhe dhëndrit të tij, Jamarbër Malltezi, për aferën “Partizani”.
Kjo është seanca e parë, pasi më 19 Maj gjyqtarja e GJKKO, Flojera Davidhi pranoi kërkesën e SPAK për kalimin për gjykim të çështjes në ngarkim të Sali Berisha, i akuzuar për korrupsion pasiv.
Të akuzuar për ‘korrupsion’ dhe ‘pastrim parash’, do të gjykohen nga trupa me kryesuese Elsa Ullirin dhe anëtarë Bib Ndrecën e Rudina Palloin. Asnjë prej tyre nuk ka kërkuar gjykim të shkurtuar, çka pritet ta zgjasë procesin.
Berisha ndodhet në “detyrim paraqitje”, ndërsa Malltezi vijon të jetë në arrest shtëpie. Procesi vjen pas një bllokimi 7-mujor dhe u çua për gjykim pak ditë pas zgjedhjeve të 11 majit.
Kujtojmë se për herë të parë që nga krijimi i GJKKO-së në 19 Dhjetor të 2019, në bankën e të akuzuarve do të ulet një ish-Kryeministër.












