Gjolek Guci, ish-kryebashkiaku socialist i bashkisë Memaliaj dhe ish-zëvendësja e tij kur ishte në detyrë, Edmonda Harizi, janë dënuar me në total 3 vite burgim për shkelje të barazisë në tendera.
Për secilin është vendosur dhe 5 vite ndalim i ushtrimit të funksioneve publike. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë me trup gjykues të përbërë nga gjyqtaret Flora Hajredinaj, Etleva Deda dhe Engjëllushe Tahiri, me vendimin nr. 72, datë 18.11.2026 vendosi:
1. Deklarimin fajtor të të pandehurit Gjolek Guci, për veprën penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, në bashkëpunim, të parashikuar nga nenet 258, (para ndryshimeve të pësuara me ligjin nr. 43/2021, datë 23.3.2021) dhe 25 të Kodit Penal, dhe dënimin e tij me 2 (dy) vjet burgim.
Në bazë të nenit 406 pika 1 të Kodit të Proçedurës Penale, të pandehurit Gjolek Guci i ulet 1/3 e dënimit, për shkak të aplikimit të gjykimit të shkurtuar dhe, përfundimisht dënohet me 1 (një) vit e 4 (katër) muaj burgim.
Heqjen e së drejtës për të pandehurin Gjolek Guci për të ushtruar funksione publike për një kohë prej 5 (pesë) vjet, bazuar në nenin 35 paragrafi 2, të Kodit Penal.
2. Deklarimin fajtor të të pandehurës Edmonda Harizi, për veprën penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, në bashkëpunim, të parashikuar nga nenet 258, (para ndryshimeve të pësuara me ligjin nr. 43/2021, datë 23.3.2021) dhe 25 të Kodit Penal dhe dënimin e saj 1 (një) vit burgim.
Në bazë të nenit 406 pika 1 të Kodit të Proçedurës Penale, të pandehurës Edmonda Harizi, i ulet 1/3 e dënimit, për shkak të aplikimit të gjykimit të shkurtuar dhe, përfundimisht dënohet 8 (tetë) muaj burgim.
Heqjen e së drejtës së të pandehurës Edmonda Harizi për të ushtruar funksione publike për një kohë prej 5 (pesë) vjet, bazuar në nenin 35 paragrafi 2, të Kodit Penal.













