Ndryshime të rëndësishme të shefave të komisariateve u firmosën sërish me urdhër të kryepolicit Ilir Proda.
Kështu Edjona Dano është emëruar shefja e re e Komisariatit të Policisë në Kuçovë. Dano ishte e vetmja grua që garoi për shef komisariati dhe u shpall në listën fituese, si dhe u kualifikua fituese edhe në mesin e 290 garuesve që synonin në fund të vitit të kaluar për të qenë shefa komisariatesh.
Së fundmi Dano mbante detyrën e Shefes së Seksionit për Parandalimin e Dhunës në Familje dhe Mbrojtjes së të Miturve, në Policinë e Tiranës. Ndërsa më herët ka mbajtur detyrën e Shefit të Seksionit për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë nr. 6 Tiranë.
Ky është emërimi i dytë në historinë 35-vjeçare të emërimit të një gruaje në krye të një komisariati. Anila Popa ka shërbyer në komisariatin e Librazhdit për disa muaj në vitin 2016.












