Vangjel Dule doli përpara kamerave për t’iu bashkuar qëndrimit opozitar se zgjedhjet parlamentare nuk ishin të drejta.
Por ndonëse thotë se nuk kishte zgjedhje, pjesë të përgjegjësisë për rezultatin bën edhe opozitën duke u shprehur se është detyrë e saj për të ndryshuar realitetin.
“Është çështje e shoqërisë sonë, e zgjedhësve tanë, që të reagojnë. Në çdo vend tjetër pas një procesi të tillë si ai i 11 majit, protestat do të ishin të pandalshme. Ne kemi fenomene të tjera sociale që kanë ndodhur në vendin tonë, qytetari ndihet i mundur, këtu është përgjegjësia e opozitës. Dështuam sepse edhe njerëz nga radhët tona u blenë apo ranë viktima të presionit”, tha Dule.
Përpara fjalëve të përgjithshme Vangjel Dule mori edhe pyetjen konkrete se cili do të jetë aksioni opozitar.
“Hapi i dytë, pasi të presim edhe raportin përfundimtar të OSBE ODIHR do të shkojmë në hapa konkret se si do të jetë reagimi zyrtari i opozitës, pjesëmarrja në parlament, protestat, demonstratat”, tha Dule.












