Ndërkohë që jemi në mes të muajit korrik dhe kemi hyrë në një javë të re, meteorologia Lajda Porja zbulon se vendi pritet të përfshihet nga një valë e të nxehtit.
Porja theksoi se temperaturat e larta dhe i nxeheti do të na shoqërojnë deri në fund të muajit korrik.
Sipas meteorologes, temperaturat do të arrijnë në shifrat maksimale deri në 41 gradë Celsius.
“Një tjetër javë e nxehtë na pret, ku këtë të hënë nis depërtimi i masave të nxehta të cilat do të futen thellësisht në Shqipëri dhe drejt Ballkanit. Ndërkohë maksimalet sot do të shkojnë në 37-38 gradë Celsius. Të mërkurën presim temperatura të larta deri në 41 gradë, të paktën në dy qarqe të vendit: zonat e Myzeqesë, qarku i Beratit dhe disa zona në Elbasan. Ndërkohë, nga 38 deri në 40 gradë do jenë qytete të tjera të Shqipërisë. Gjatë kësaj jave, nga e hëna deri të dielën do të kemi luhatje shumë të vogla; të mërkurën pritet të shkojnë në 41 gradë dhe të enjten deri në 40. E premtja sjell një ulje të vogël, ndërsa të shtunën ngrihen përsëri deri në 41 gradë Celsius. E shtuna dhe e diela do të sjellin rritje edhe të temperaturave minimale” tha Porja.












