Prefektja e Qarkut të Vlorës, Evis Allushi ka mbledhur sot shtabin e emergjencës, për të analizuar situatën e krijuar nga mungesa e ujit të pijshëm dhe për të gjetur zgjidhjen e shpejtë.
“Brenda 24 orëve të gjendet zgjidhja dhe qyteti të furnizohet me ujë, ose në të kundërtën do të mbajnë të gjithë përgjegjësi”, ishte kërkesa e prefektes, drejtuar anëtarëve të shtabit të emergjencës.
“Duhet të angazhohemi të gjithë si institucione duke mos e menduar si detyrë vetëm të ujësjellësit apo bashkisë. Qyteti është i të gjithëve dhe duhet të punojmë të gjithë për të zgjidhur krizën, sepse pa ujë jemi edhe ne si të gjithë qytetarët”, ka deklaruar ndër të tjera Allushi.
Prefektura e Qarkut ka ngritur grupe nga prefektura që do të shpërndahen në rajonet e qytetit për të ndjekur nga afër furnizimin e popullatës me bote me ujë, sipas grafikut të përcaktuar nga Ujësjellës Kanalizime Vlorë.












