Është ndarë papritur nga jeta në moshën 40-vjeçe Lidjana Shahinaj, një ndër drejtueset e Agjencisë Kombëtare të Kërkimit Shkencor.
Ndarja e parakohshme nga jeta e zyrtares së AKSHI-t ka lënë në pikëllim familjarët, sikurse ka tronditur paraditen e sotme të afërmit, kolegët dhe të gjithë ata të cilët e njihnin.
“Sot duart e mia nuk më bëjnë të shkruaj, fjalë zemra nuk ka ç’të thotë. Motra ime e dyta, Lidjana, u largua nga ne, zemra e saj e tradhetoi, ia preu jetën në mes…Sapo kishte bërë 40 vjeçe…” shkroi e motra e saj, Valbona.
Agjencinë Kombëtare e Kërkimit Shkencor, institucion ku Lidjana Shahinaj prej kohësh ishte pjesë dhe mbante post drejtuesi, reagoi përmes një mesazhi prekës pas lajmit.
“Me hidhërim të thellë njoftojmë ndarjen nga jeta të Lidjana Shahinaj, koleges sonë dhe një vajze unike, e cila diti t’u dhuronte kolegëve dhe miqve të saj mirësi, mbështetje dhe empati, si dhe të përcillte çdo ditë, përmes buzëqeshjes së saj, një energji pozitive që e karakterizonte dhe e bënte të veçantë mes nesh”, shkruan në njoftimin e saj Agjencia Kombëtare e Kërkimit Shkencor.













