Kryeministri Edi Rama deklaroi se viti 2026 shënon një kthesë të rëndësishme për pensionet në Shqipëri, duke konfirmuar nisjen e rritjes graduale të tyre.
Kreu i qeverisë u shpreh se kjo rritje do të dyfishohet çdo janar, duke vijuar në mënyrë progresive deri në vitin 2030.
Sipas tij, pensionistët në janarin e ardhshëm do të përfitojnë dyfishin e shtesës së këtij viti, në janarin pasues trefishin, më pas katërfishin, ndërsa në Shqipërinë 2030 ky progresion do të ndalet te pesëfishimi i shtesës së janarit 2026.
“Pensionistët që prej këtij janari përfitojnë një rritje, që çdo janar do të dyfishohet. Pra janarin e ardhshëm do të marrin dyfishin e shtesës së këtij janari. Janarin pas tij, trefishin e shtesës së këtij janari, pastaj katërfishin e këtij janari dhe në Shqipërinë 2030 do të ndalet ky progresion tek pesëfishimi i shtesës së mirëseardhur të janarit të këtij viti. Kjo kthesë është një çlirim i madh për mua. U deshën vite reformash, u desh një përpjekje e madhe për rritje ekonomike, u desh një përmirësim rrënjësor në mbledhjen dhe administrimin e të ardhurave. Unë e di se si i kam shtrënguar dhëmbët për të bërë durim, se si ndihesha se si sikletosesha, se si mezi i nxirrja fjalët kur thosha s’ka mundësi, nuk kemi lekë për ta bërë, s’është e mundur, duhet fillimisht të rrisim mundësitë e shtetit, s’e bëjmë dot se nuk mund të minojmë shtëpinë, ku rriten fëmijët tanë… E pra duruam, por më në fund erdhëm në këtë pikë, sepse punuam çdo ditë për kthesën që sapo ka nisur dhe më e mira është e gjitha përpara për gjyshet dhe gjyshërit e këtij vendi“, tha Rama.












