Gazetarja Klodiana Lala, e ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit”, ka folur për seancën me dyer të mbyllura për imunitetin e Belinda Ballukut.
Lala tha se prokurorët pretendojnë se Balluku mund të prishë provat, ndaj kërkojnë heqjen e imunitetit të saj për të caktuar një tjetër masë sigurie.
Lidhur me pretendimet se Balluku ka kërcënuar dëshmitarët përmes personave të krimit të organizuar, Lala tha se nuk ka një akuzë të re penale për intimidim, por vetëm pretendime të një vartëseje.
“Mbledhja e Këshillit për Mandatet dhe Imunitetin u zhvillua me dyer të mbyllura, pasi kjo u kërkua nga SPAK. Prokurorët pretenduan se çështja është nën hetim dhe ekziston rreziku të dëmtohen provat dhe procesi hetimor, ndaj kërkuan mbledhje me dyer të mbyllura. Është përdorur termi ‘35 vjet burg’. Zoti Braho, duke paraqitur argumentet, ka deklaruar se në momentet e para, kur është kërkuar dhe miratuar pezullimi nga ushtrimi i funksioneve për Ballukun, veprat penale kishin marzh dënimi deri në 10 vite. Por më pas prokurorët pretendojnë se kanë prova të reja që kanë rënduar pozitat e Ballukut, në 9 episode, përfshirë tunelin e Llogarasë, 7 lotet e Unazës dhe koncesionin Thumanë–Kashar. Prokurorët kanë thënë hipotetikisht se dënimi mund të shkojë deri në 35 vite. Pozita e zonjës Balluku është rënduar ndjeshëm. Ky ka qenë konteksti në të cilin prokurorët kanë përdorur frazën ‘35 vite burg’. Prokurorët, për të mbështetur kërkesën e tyre, kanë paraqitur argumentin se Balluku mund të ndërhyjë për të prishur provat. Së dyti, ekziston rreziku i intimidimit të dëshmitarëve. Por nuk ka një akuzë të re penale për intimidim të dëshmitarëve.”, deklaroi Lala.
E pyetur nëse SPAK vijon t’i qëndrojë idesë për të kërkuar arrestimin e Ballukut, Lala tha se nuk ka gjasa që të kërkohet arrest me burg, edhe nëse Parlamenti ia heq imunitetin.
“SPAK kërkon leje ose autorizim për arrestim, por në rastin e zonjave përgjithësisht ka kërkuar masa më të lehta. Është shkuar vetëm në arrest shtëpie, përjashto rastet kur ka krim të organizuar, vrasje e me radhë. Nëse do të jepet autorizimi, do të shkohet me kërkesën për arrest shtëpie, por gjasat janë që kjo të mos ndodhë dhe SPAK i ka duart e lidhura”, tha Lala.












