Ish-deputeti Ervin Salianji ka reaguar pas vendimit të Partisë Demokratike për të përjashtuar kryetarin e grupit të këshilltarëve dhe sekretarin e degës së Durrësit. Sipas tij, ky akt është një shenjë e deformimit të sjelljes politike brenda opozitës.
“Humbësat përjashtojnë fituesit. Humbësat duan të zgjedhin votuesit e tyre. Ky është deformimi i madh i sjelljes politike që ka sjell humbjet e njëpasnjëshme të opozitës. Në vend të kthehen tek themeli, tek vota për të nisur rrugën e fitores, përjashtojnë demokratët,” shkruan Salianji.
Ai e ka konsideruar veprimin si të paimagjinueshëm për vitin 2026, duke theksuar se përjashtimi i dy kontributorëve dhe sakrifikuesve të partisë tregon “depresionin dhe frikën” e lidershipit.
“Frika nga gara nuk është lidership! Dy këshilltarët në Durrës u përjashtuan sepse mbështesin një ide: garën. Kjo nuk është forcë. Kjo është frikë,” shton ish-deputeti.
Salianji ka theksuar gjithashtu se Partia Demokratike nuk është pronë private: “Është e demokratëve dhe demokratët nuk përjashtohen! Ata votojnë, ata zgjedhin!”
Vendimi i PD-së për përjashtimin e këshilltarëve ka krijuar reagime të forta brenda dhe jashtë degës lokale të Durrësit, ndërsa debati mbi lidershipin dhe drejtimin e partisë pritet të vazhdojë.
Konfirmohen dy largimet e para nga Partia Demokratike, dega Durrës. Ata janë të dy anëtarë të Këshillit Bashkiak, të cilët përjashtohen nga grupi për shkak të mbështetjes që i kanë dhënë ish-deputetit Salianji, i cili zhvilloi një takim me demokratët pak kohë më parë në qytetin bregdetar.
Gjithashtu, Boshku është shkarkuar nga posti që mban si sekretar i përgjithshëm i degës.
Përmes këtij vendimi, këshilltarëve në Durrës u propozohet si kandidat për kreun e grupit të Këshillit Bashkiak Ardian Muka, ish-kreu i degës, i cili dha dorëheqje pak kohë më parë.












