SPAK ka paraqitur pretencën për një nga dosjet më të mëdha që lidhen me abuzimet në tendera dhe procedurat e prokurimit publik, ku të përfshirë janë ish-drejtues të institucioneve të rëndësishme shtetërore.
Në qendër të hetimit është ish-drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Evis Berberi, për të cilin kërkohet dënim me 10 vite burg për disa vepra penale, përfshirë 5 episode të shkeljes së barazisë në tendera, 6 raste korrupsioni pasiv dhe një episod pastrimi parash.
Për shkak të gjykimit të shkurtuar, dënimi pritet të ulet me një të tretën. Prokuroria kërkon gjithashtu ndalimin e tij nga funksionet publike për 5 vite, si dhe konfiskimin e shumave të sekuestruara në banesën e tij.
Në të njëjtën çështje përfshihet edhe ish-drejtori tjetër i ARRSH, Gentian Gjyli, për të cilin SPAK kërkon 1 vit e 6 muaj burg për shkelje të barazisë në tendera, me ulje për gjykim të shkurtuar dhe ndalim nga funksionet publike.
Po ashtu, për ish-drejtorin e KESH-it, Erald Elezi, kërkohet 1 vit e 6 muaj burg për të njëjtën vepër penale, si dhe heqja e të drejtës për të ushtruar funksione publike për 5 vite.












