Një aksident tragjik i ndodhur mesditën e kësaj të shtune, në aksin e vjetër Thumanë-Fushë-Krujë, i cili i ka marrë jetën 65-vjeçarit Paulin Filopati, një emër i njohur i artit dhe traditës folklorike mirditore.
Lajmi i hidhur për ndarjen e tij nga jeta ka shkaktuar dhimbje të madhe te familjarët, miqtë dhe komuniteti artistik, ku Filopati ishte i njohur dhe vlerësuar për kontributin e tij shumëvjeçar në ruajtjen dhe promovimin e muzikës dhe folklorit tradicional.

Paulin Filopati ishte pjesë e Grupit të Burrave të Ansamblit Mirdita, ku mbante titullin “Mjeshtër i Madh”, si dhe ishte artist i Grupit Kthella. Në momentin e aksidentit, pranë tij ndodhej edhe bashkëshortja, e cila fatmirësisht nuk ka pësuar lëndime.
Dhimbjen për humbjen e artistit e ka shprehur edhe miku i tij, Gjergj Marku, i cili përmes një mesazhi prekës ka kujtuar figurën dhe personalitetin e Filopatit.












