Një lajm i trishtë ka mbërritur së fundmi nga Lushnja pasi mësohet se ka mbyllur sytë në moshën 38-vjeçare bilardisti Fogert Kallopi.
Lajmin e kobshëm e ka bërë me dije Federata Shqiptare e Bilardos & Snookerit e cila përmes një postimi të bërë në rrjet ka njoftuar për ndarjen e parakohshme nga jeta të bilardistit Kallopi.
38-vjeçari ndër vite ka përfaqësuar ekipin e Lushnjës dhe ka qenë anëtar i ekipit kombëtar. Ndonëse ai mbylli sytë përgjithmonë në një moshë tepër të re, ai do të kujtohet me respekt për pasionin dhe kontributin e tij në sportin e bilardos.
Mes lotësh e një plagë të madhe në zemër, miq, familjarë e të afërm i japin sot lamtumirën e fundit Fogertit. Ceremonia mortore për të riun do të zhvillohet sot në orën 15:00, në Varrezat e Vjetra të Lushnjës.
“Me hidhërim të thellë, Federata Shqiptare e Bilardos & Snookerit njofton ndarjen nga jeta të bilardistit Fogert Kallopi, në moshën 38-vjeçare. Fogerti ka përfaqësuar ekipin e Lushnjës dhe ka qenë anëtar i ekipit kombëtar. Ai do të kujtohet me respekt për pasionin dhe kontributin e tij në sportin e bilardos. Ndarja e tij e parakohshme nga jeta është një humbje e dhimbshme për familjen, miqtë dhe komunitetin e bilardos shqiptare. Federata i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Kallopi, të afërmve dhe miqve të tij, duke u bashkuar me dhimbjen e tyre në këto momente të vështira. Ceremonia e varrimit do të zhvillohet ditën e diel, më 15 nëntor 2026, në orën 15:00, në Varrezat e Vjetra të Lushnjës. Pritjet bëhen pranë Restorant Divjaka, në zonën e Komunës së Parisit, Tiranë. Nisja nga Tirana bëhet në orën 13:30. U prehtë në paqe!”, shkruan Federata Shqiptare e Bilardos & Snookerit.












