Juristi Kreshnik Spahiu mendon se qëllimi i kryedemokratit Sali Berisha nuk është rrëzimi i qeverisë së kryeministrit Edi Rama nga pushteti. Duke komentuar protestën e 17 prillit të PD-së, Spahiu tha se kishte një numër të ulët pjesëmarrësish.
Sipas Spahiut, kur protestat e opozitës vijnë duke u rrudhur e dobësuar, vetëm sa e forcojnë kundërshtarin politik, në rastin konkret PS-në dhe kryeministrin Rama.
“Mesa duket, e gjithë analiza e një proteste tregon qartë tashmë që qëllimi i Berishës nuk është rrëzimi i Ramës nga pushteti, përkundrazi. Nëse një protestë dështon me dhjetëra herë, nëse një protestë vjen duke u rrudhur, atëherë nuk bën gjë tjetër veçse e forcon kundërshtarin. Kundërshtari merr fuqi me gjithë dobësitë që ka. Sot nuk flitet më për zgjedhje të parakohshme, sepse me dështimin e vet opozita vetëm sa e forcoi Ramën”, tha mes të tjerash Spahiu.
Më tej Spahiu tha se qëllimi i vetëm i protestave të Berishës është monopolizimi i opozitarizmit në Shqipëri.
Spahiu theksoi se Berisha kërkon që me protestat e tij të zbehë rolin e çdo faktori opozitar në vend dhe sipas juristit, kryedemokrati pretendon që në zgjedhjet e ardhshme të jenë ‘në lojë’ vetëm dy parti.
“Opozita ka arritur vetëm një sukses në protestat e saj, që është monopolizimi i opozitarizmit. Berisha e ka thënë qartë, që ‘sfida jonë është të jemi të vetmit faktor opozitar’. Kjo do të thotë se të gjithë faktorët e tjerë duhet të shpërbëhen. Brenda partisë të shpërbëhet Ervin Salianji dhe çdo faktor tjetër, partitë e reja t’i zbehë me protestat e tij dhe të thotë që ‘vetëm ne jemi forca opozitare’. Në thelbin e vet ai ka vetëm një objektiv, që në zgjedhjet e ardhshme të ngelen vetëm dy parti”, përfundoi Spahiu.












