Të premten e 22 majit, duke filluar nga ora 9:00 deri në 18:00, në ambientet e Piramidës në kryeqytet do të organizohen zgjedhjet për kryetar të Dhomës së Avokatisë Tiranë.
8 kandidatë, prej të cilëve emra shumë të njohur të avokatisë, synojnë një mandat 4-vjeçar në krye të DHAT, pasi për dekada që prej vitit 2001 atë e drejtoi avokati i mirënjohur Fatmir Brakaj.
Janë rreth 1910 avokatët e regjistruar në degën e Tiranës, të cilët edhe do të votojnë kryetarin e ri të tyre. Emra si Lulzim Alushaj, Sajmir Visha, Klodian Skënderaj apo edhe Edmond Petraj janë mes më favoritëve
“Ka ardhur koha për një dhomë që vepron”, është slogani i avokatit të njohur Lulzim Alushaj.
Ai ka një ‘armë’ të fortë për t’i kërkuar besimin kolegëve, një fitore në gjykatë kushtetuese në favor të komunitetit të avokatëve. Ai organizoi dhe ndoqi me sukses pranë Gjykatës Kushtetuese kërkesën për shfuqizimin e disa dispozitave të ligjit “Për Tatimin mbi të Ardhurat”, që preknin profesionet e lira. Si rezultat i këtij insistimi, mbi 29 mijë profesionistë të lirë përfituan nga heqja e barrës tatimore prej 15 deri në 23 për qind.
Alushaj i cili kandidon edhe për një post si anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të Dhomës së Avokatisë së Shqipërisë, ka një eksperiencë 21-vjeçare ushtrimin e profesionit të avokatit.












