Autoriteti Rrugor Shqiptar ka hapur procedurën për ndërtimin e 6 mbikalimeve për këmbësorët përgjatë kilometrave të parë të autostradës Tiranë-Durrës, si pjesë e fazës së dytë të projektit të zgjerimit të këtij aksi.
Sipas projektit, ndërhyrja synon të rrisë sigurinë dhe lehtësinë e lëvizjes për banorët që jetojnë përgjatë autostradës, duke krijuar pika të dedikuara kalimi dhe duke shmangur rrezikun nga qarkullimi i lartë i automjeteve.
Procedura e tenderimit pritet të përfundojë më 15 qershor, ndërsa pas shpalljes së fituesit, punimet do të nisin menjëherë në terren. Projekti përfshin jo vetëm ndërtimin e mbikalimeve, por edhe sistem ndriçimi, gjelbërim, barriera akustike dhe ndërhyrje të tjera plotësuese infrastrukturore.
Mbikalimet do të vendosen në disa pika kyçe përgjatë aksit, duke nisur nga zona pas objektit të VEKO Group, pranë Universitetit “Polis” në Yrshek, në afërsi të QTU-së, pranë BRUNES, përpara objektit të FedEx Albania dhe në zonën pranë Autostar.
Sipas ARRSH-së, projekti është pjesë e përmirësimit të standardeve të sigurisë rrugore në një nga akset më të ngarkuara të vendit, ku qarkullimi i lartë i mjeteve ka bërë të domosdoshëm krijimin e infrastrukturës së dedikuar për këmbësorët.
Punimet synojnë të përfundojnë brenda muajit shtator, në mënyrë që mbikalimet të jenë funksionale në nisjen e vitit të ri shkollor.












