Agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit kanë mbërritur mesditën e kësaj të marte në ambientet e Bashkisë së Tiranës. Sipas informacioneve paraprake, agjentët po kryejnë kontrolle në disa drejtori të institucionit, ndërsa deri më tani nuk ka një njoftim zyrtar lidhur me natyrën dhe objektin e veprimeve hetimore.
Mediat raportojnë se gjatë kontrolleve janë sekuestruar edhe disa dokumente, që lidhen me udhëtimet zyrtare të kryebashkiakut Erion Veliaj, i cili prej shkurtit të vitit 2022 ndodhet i arrestuar me urdhër të GJKKO, pas kërkesës së SPAK. Po ashtu është sekuestruar edhe dokumentacioni i dieteve të kryebashkiakut të Tiranës. Ndërsa ende nuk ka një konfirmim zyrtar për këto sekuestrime.
Gjithashtu pritet që detaje të tjera pritet të bëhen të ditura në vijim, ndërsa kjo nuk është hera e parë që agjentët e BKH-së kryejnë veprime hetimore në Bashkinë e Tiranës.
Më herët, ky institucion ka qenë në fokus të hetimeve në kuadër të çështjes së njohur si “5D”, ku subjektet e proceduar janë dënuar nga GJKKO-ja dhe është hetuar kryebashkiaku Erion Veliaj, i cili ndodhet në paraburgimin e Durrësit.
Për aksionin e kësaj të marte, deri në këto momente, nuk është bërë publik motivi apo procedimi konkret që ka çuar agjentët e BKH-së në ambientet e Bashkisë së Tiranës.












