Meteorologia Lajda Porja ka paralajmëruar se Shqipëria do të përballet sërish me një valë intensive të nxehti afrikan.
Porja vuri në dukje se rritja e temperaturave, ka filluar që nga e hëna dhe se piku i vapës pritet në mesjavë dhe gjatë javës së parë të gushtit. Ajo shtoi se duke filluar nga e mërkura, era do të bjerë, gjë që do ta bëjë nxehtësinë më të ndjeshme
“Të enjten dhe të premten, termometri do të arrijë deri në 40 gradë Celsius”, tha meteorologia.
Sipas saj, java e parë e gushtit do të jetë nën sundimin e kësaj vale afrikane, ku temperaturat në disa qytete do të shkojnë deri në 42 gradë Celsius.
Porja identifikoi qarqet e Shkodrës, Elbasanit dhe Beratit si më të nxehtat, por edhe Tirana, Fieri dhe Lushnja do të regjistrojnë vlera shumë të larta.
Për sa i përket reshjeve, ajo i cilësoi si të papërfillshme, me vetëm ndonjë pikë shiu në malet lindore të hënën. Nga e marta, moti do të jetë i thatë dhe kryesisht i kthjellët.
Kjo është vala e tretë e të nxehtit që përjeton vendi gjatë korrikut dhe pritet të zgjasë deri rreth 8-9 gusht, theksoi ajo.












