Një ngjarje tragjike është regjistruar në Manze të Durrësit, ku një aksident i rëndë automobilistik u ka marrë jetën tre të rinjve, ndërsa dy të tjerë kanë mbetur të plagosur dhe janë duke luftuar për jetën.
Ngjarja ndodhi rreth orës 02:22 në një rrugë dytësore të zonës, pasi drejtuesi i automjetit humbi kontrollin dhe u përplas me një bordurë betoni. Përplasja ka rezultuar fatale për tre prej personave që ndodheshin në automjet.
Mes viktimave është edhe një 15-vjeçar, ndërsa një prej të plagosurve ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore. Dy te plagosurit janë transportuar drejt Tiranës për të marrë ndihmë të specializuar mjekësore.
“Rreth orës 02:22, në rrugën dytësore në Manzë, shtetasi K. V., 25 vjeç, duke drejtuar automjetin, ka humbur kontrollin mbi drejtimin e tij dhe, për pasojë, automjeti është përplasur me një bordurë betoni. Si pasojë e aksidentit, drejtuesi i automjetit, shtetasi K. V., 25 vjeç, dhe pasagjerët, shtetasit S. B., 26 vjeçe, dhe A. M., 15 vjeç, kanë humbur jetën. Pasagjerët e tjerë, shtetasit R. V., 25 vjeç, dhe K. D., 16 vjeç, janë dëmtuar dhe janë nisur drejt Tiranës për ndihmë mjekësore. K. D, ndodhet në gjëndje të rëndë shëndetësore. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për dokumentimin dhe sqarimin e plotë të rrethanave të aksidentit”, njofton paraprakisht policia.
Në vendngjarje ndodhet grupi hetimor, i cili po punon për dokumentimin e plotë të aksidentit dhe zbardhjen e rrethanave që çuan në këtë ngjarje tragjike./ Rilindje.info












