Teksa pritet që të mbahet sot takimi mes socialistëve, kryeministri Edi Rama raportohet të ketë mbërritur i pari në vilën qeveritare në Pogradec.
Pas kryesocialistit në Pogradec ka mbërritur Ulsi Manja, drejtues politik i Dibrës, i cili thuhet se ka qëndruar pak minuta me kryeministrin dhe më pas janë larguar drejt kafeneve të zonës.

Siç raportuam dhe mëngjesin e sotëm, ora 11:30 do të gjejë në një nga tavolinat e vilës qeveritare të qytetit liqenor 12 drejtuesit politikë të qarqeve bashkë me kryetarët socialistë të komisioneve parlamentare. Nga fjalën hapëse do e mbajë kryeministri.
Sakaq raportohet se se fjala e liderit socialist pritet të zgjasë rreth një orë, ndërsa drejtuesit politikë do të diskutojnë mbi dokumentin e ri “Besa” dhe “Prania Besnike”. Pas drekës, thuhet se do të jetë Jonida Shehu ajo që do të bëjë një prezantim të platformës së vlerësimit të aktivitetit mediatik ndërsa dita e sotme do të mbyllet përsëri me fjalën e kryeministrit Rama.
Mbledhja do të mbahet në ambientet e jashtme të godinës, pasi godinat s’janë aq të mëdha që mund të marrin gjithë të pranishmit. Po ashtu raportohet se do të jenë në terren forca të shumta sigurie, ndërsa pritet që t’i bashkohet takimit dhe ministri i Pushtetit vendor Ervin Demo, që do të ndjekë nga afër situatën e përgatitjeve.
Pas këtij takimi dy ditor, pritet që kryeministri Edi Rama të mbledhë në ditët e para të shtatorit edhe Asamblenë e Partisë Socialiste, të cilin e ka përdorur përgjithësisht për të njoftuar ndryshime në qeveri.












