Një banor 78-vjeçar i fshatit Homçan në Pogradec, Çelnik Shtupalli, ka arritur të takojë kryeministrin Edi Rama, pas kërkesës së bërë publikisht përmes mediave.
Shtupalli tregoi se kishte pritur për rreth pesë orë, me shpresën për të takuar kryeministrin dhe kryetarin e bashkisë, me qëllim që t’i falënderonte për zgjidhjen e disa problemeve që kishte ngritur më herët.
Pas përfundimit të mbledhjes shtatëorëshe me drejtuesit politikë të qarqeve, Rama mësohet se ka kërkuar që të organizohej një takim me të moshuarin.
Gjatë takimit, Shtupalli i kërkoi kryeministrit ndërhyrjen për asfaltimin e rrugës së fshatit, e cila sipas tij është rreth 4 kilometra e gjatë dhe prej vitesh paraqet vështirësi për banorët.
“I thashë kryeministrit për të bërë rrugën e fshatit Homçan. Populli është i vuajtur shumë prej baltës dhe prej rrugës së keqe. Prandaj i fola kryeministrit që rruga është katër kilometra. E kisha besimin që mund të më takojë sepse unë i kam vajtur edhe herë të tjera dhe ia shtrova përfundimisht këtë problem për të bërë rrugën me asfalt. Kryetari i Bashkisë më ka thënë që do e bëjmë, por unë iu drejtova Edi Ramës. Faleminderit shumë Edi Ramës se i tha Ilirit, t’ia bësh rrugën me asfalt. E përqafova dhe i thashë i gjithë populli të përqafon për të gjithë punën e madhe që ke bërë për Shqipërinë”, tha i mpshuari.












