Rritja e çmimit të naftës po vë në vështirësi transportin publik. Shoqatat e transportit urban dhe interurban paralajmërojnë se nga 1 shtatori do të reduktojnë me 20 deri në 30% flotën e autobusëve në qarkullim, pasi thonë se nuk mund të përballojnë më kostot.
“Duke filluar nga data 01.09.2026, operatorët e transportit publik do të detyrohen të operojnë me një flotë të reduktuar në masën rreth 20–30%, në varësi të kapacitetit financiar dhe operacional që secili operator ka aktualisht në dispozicion”, thonë shoqatat.
Në letrën drejtuar Kryeministrisë, Bashkisë së Tiranës, Ministrisë së Infrastrukturës dhe asaj të Financave, shoqatat thonë se prej kohësh kërkojnë kompensimin e kostove të karburantit, por ende nuk kanë marrë një zgjidhje konkrete. Sipas tyre, çmimi i lartë i naftës dhe shpenzimet e tjera kanë rënduar financat e operatorëve, duke e bërë të pamundur funksionimin me të gjithë flotën.
Shoqatat paralajmërojnë se do të ketë më pak mjete në qarkullim, pritje më të gjata në stacione dhe mbingarkesë të autobusëve që do të vijojnë shërbimin.
“Reduktimi i mjeteve në qarkullim pritet të sjellë në mënyrë të pashmangshme ulje të frekuencës së shërbimit, rritje të intervaleve ndërmjet mjeteve, mbingarkesë të mjeteve që do të mbeten në qarkullim dhe vështirësi për qytetarët që përdorin çdo ditë transportin publik”, thuhet në letër.
Operatorët i kërkojnë institucioneve të ndërhyjnë dhe të realizojnë kompensimin e parashikuar për kostot e karburantit. Ata thonë se reduktimi i flotës nuk është zgjedhje, por pasojë e pamundësisë financiare për të vijuar shërbimin me kapacitet të plotë.
Që prej muajit maj shoqatat e transportit publik vijojnë të përsërisin shqetësimin për mospërballimin e kostove nga shtrenjtimi i çmimit të naftës dhe për kohëzgjatjen e periudhës për të përfituar 50 lekë për litër kompensim për naftën.
Shoqata Kombëtare e Transportit Qytetas vetëm gjatë muajit gusht ka përsëritur 2 herë kërkesën se kostoja e operimet mbetet e papërballueshme dhe se kjo shumë shpejt do të sjellë reduktim të mjeteve për lëvizjen e qytetarëve.
Nëse nuk do të ketë një zgjidhje të shpejtë, qytetarët pritet të përballen me më pak autobusë në linja, pritje më të gjata dhe mbingarkesë më të madhe, veçanërisht në oraret e pikut.












