Republika e Shqipërisë do të nënshkruajë Marrëveshjet “Artemis” gjatë një ceremonie në selinë e NASA-s në Uashington, duke u bërë vendi i 73-të nënshkrues. Ngjarja do të mbahet të hënën e 21 shtatorit dhe Ambasada Amerikane e cilëson si “një hap gjigant” për vendin.
Zv/administratori i NASA-s, Matt Anderson, do të presë Ministrin e Shqipërisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, dhe Ambasadorin e Republikës së Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara, Ervin Bushati, për ceremoninë, së bashku me zyrtarë të Departamentit të Shtetit të SHBA-së.
Në vitin 2020, gjatë Administratës së parë Trump, Shtetet e Bashkuara, të udhëhequra nga NASA dhe Departamenti i Shtetit, u bashkuan me shtatë vende të tjera themeluese për të krijuar Marrëveshjet Artemis, duke iu përgjigjur interesit në rritje për aktivitetet hënore si nga qeveritë ashtu edhe nga kompanitë private.
Marrëveshjet Artemis prezantuan grupin e parë të parimeve praktike që synonin rritjen e sigurisë, transparencës dhe koordinimit të eksplorimit civil të hapësirës në Hënë, Mars dhe më gjerë.
Çfarë janë marrëveshjet Artemis
Marrëveshjet Artemis janë një grup parimesh jo-detyruese për eksplorimin dhe zhvillimin e hapësirës së jashtme, të vendosura përmes një sërë marrëveshjesh dypalëshe midis Shteteve të Bashkuara dhe vendeve partnere. Marrëveshjet lidhen me programin Artemis, një përpjekje e udhëhequr nga amerikanët për të kthyer njerëzit në Hënë në vitin 2028, me qëllimin përfundimtar të zgjerimit të eksplorimit të hapësirës në Mars dhe më gjerë.
Që nga 14 shtatori 2026 Me anëtarësimin e Xhibutit, 72 vende kanë nënshkruar Marrëveshjet, duke përfshirë 32 në Evropë, 17 në Azi, 8 në Amerikën e Jugut, 5 në Amerikën e Veriut, 8 në Afrikë dhe 2 në Oqeani. Shqipëria bëhet vendi i 73-të që i bashkohet kësaj nisme.
Të hartuara nga NASA dhe Departamenti i Shtetit i SHBA-së, Marrëveshjet krijojnë një kornizë për bashkëpunim në eksplorimin civil dhe përdorimin paqësor të Hënës, Marsit dhe objekteve të tjera astronomike.
Ato u nënshkruan fillimisht më 13 tetor 2020 nga përfaqësuesit e agjencive kombëtare hapësinore të tetë vendeve: Australia, Kanadaja, Italia, Japonia, Luksemburgu, Emiratet e Bashkuara Arabe, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara.












