Shqipëria shënon një tjetër hap të rëndësishëm drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian. Sot, në Luksemburg, zhvillohet Konferenca e 10-të Ndërqeveritare Shqipëri–BE, ku pritet të formalizohet mbyllja e negociatave për Kapitullin 20, “Ndërmarrjet dhe Politikat Industriale”.
Me mbylljen e këtij kapitulli, Shqipëria arrin në katër kapituj të mbyllur përkohësisht, duke vijuar progresin e negociatave të anëtarësimit dhe objektivin për përmbylljen e tyre brenda vitit 2027.
Kreu i qeverisë Edi Rama e cilësoi këtë zhvillim si një tjetër hap përpara drejt anëtarësimit të vendit në BE.
“Me lajmin se sot në Luksemburg, Shqipëria hedh një tjetër hap drejt Bashkimit Europian, duke mbyllur Kapitullin 20 në Konferencën e 10-të të negociatave të Anëtarësimit në BE, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan Rama.
Kapitulli 20 lidhet me zhvillimin e sipërmarrjes, politikat industriale, mbështetjen e bizneseve, inovacionin dhe rritjen e konkurrueshmërisë së ekonomisë shqiptare.
Mbyllja e një kapitulli negociues shënon përparim në procesin e integrimit, ndërsa Shqipëria vijon punën për përmbushjen e kritereve dhe detyrimeve që lidhen me anëtarësimin në Bashkimin Europian.
Agjenda e plotë:
16:40 – Nisja drejt Qendrës Europiane të Konventave.
16:45 – Doorstep.
16:50 – Fotografi e përbashkët e Kryeministrit Edi Rama, Komisioneres Marta Kos dhe Ministrit Thomas Byrne.
17:00 – Hapja e Konferencës së 10-të Ndërqeveritare Shqipëri–BE dhe miratimi i agjendës.
17:45 – Përfundimi i Konferencës Ndërqeveritare dhe vijimi i konferencës për shtyp; Kryeministri Edi Rama, Komisionerja për Zgjerimin Marta Kos dhe ministrin irlandez, Thomas Byrne.












