Delegacioni i Bashkimit Europian në Shqipëri, u bën thirrje studentëve të tregojnë vetëpërmbjatje gjatë protestës së tyre, duke dënuar me forcë dhunën dhe shkatërrimin e pronës publike dhe private.
“Dënojmë me forcë përshkallëzimin e dhunës gjatë protestës dhe shkatërrimin e pronës publike dhe private. U bëjmë thirrje protestuesve të tregojnë vetëpërmbajtje dhe të shmangin çdo akt dhune. Dhuna nuk ka vend në demokraci“, thuhet në reagim.
Ndryshe nga një ditë më parë kur Delegacioni i BE-së u rreshtua në krah studentëve duke i mbështetur dhe paralajmëroi Policinë e Shtetit të përdorte masa proporcionale, sot qëndrimi është më i fortë dhe kërkonë distancim nga dhuna, nga studentët.
“Liria e tubimit dhe e shprehjes janë të drejta themelore dhe vlera thelbësore evropiane. Ato duhet të respektohen dhe të ushtrohen në mënyrë paqësore. Dialogu konstruktiv mes të gjitha palëve është e vetmja rrugë përpara për të adresuar shqetësimet legjitime“, vijon reagimi zyrtar i Delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë.
Sot, është dita e tretë e protestës studentore, e cila ka shënuar një revoltë të fortë të të rinjve ndaj institucioneve shtetërore dhe disa institucioneve private, ndërsa janë shkatërruar dhe parqe e hapësira publike, në zona të ndryshme të Tiranës.












